Në muajin prill të këtij viti 110 kosovarë ishin kthyer nga Siria.
Rreth 110 persona në muajin prill ishin kthyer në Kosovë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme ekstremiste në Siri e Irak.
Në mesin e tyre ishin kthyer edhe katër të dyshuar, për pjesëmarrje në këto luftëra.
Menjëherë pas kthimit të tyre, gjykata kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak për 10 gratë e kthyera nga Siria, shkruan lajmi.net.
Gjykata e kishte marrë këtë vendim duke u bazuar në dyshimin se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak.
Që nga kjo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ende është duke e hetuar rastin e grave të riatdhesuara nga Siria.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Ju njoftoj se rasti i grave të riatdhesuara nga Siria, është ende në fazën e hetimeve nga ana e prokurorëve të PSRK-së”, ka treguar Lutfiu.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha gratë e kthyera nga Siria janë duke u hetuar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 i KPRK-së, përkatësisht nga neni 3 paragrafi 3, “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, nga 110 të kthyerit, 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.
Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.
Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.