Prokuroria Speciale sekuestron armë dhe ndalon 10 persona pas sulmit në kanalin e Ibër Lepencit

Në njoftim thuhet se Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar disa kontrolla në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe pajisje të tjera.

Po ashtu, janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për disa vepra penale.

“Prokuroria Speciale ka njoftuar opinionin publik lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, se më 30.11.2024, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.

Pesë persona janë arrestuar dhe janë dyshuar për veprime që rrezikojnë rendin kushtetues, kryerjen e veprave terroriste dhe mbajtjen e armëve pa leje.

“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: ‘Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike’, nga neni 122 lidhur me veprën penale ‘Kryerja e veprës terroriste’, nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK-së, ‘Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve’ nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.”

Dy prej të dyshuarve, D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar.

“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.

Një i dyshuar tjetër, J.V., është ndaluar më 1 dhjetor, pas një kërkimi të realizuar në shtëpinë e tij, ku janë gjetur armë dhe pajisje të tjera.

“Ndërkaq, më 1 dhjetor 2024 me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale. Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar