Prokuroria zbulon detaje për aksidentin fatal në Radishan: “Seat Altea” ia preu rrugën motoçiklistit 19-vjeçar
Prokuroria Themelore Publike ka publikuar detaje të reja për aksidentin tragjik në Radishan të Shkupit, ku humbi jetën 19-vjeçari Nikola Makraçevski.
Sipas Prokurorisë, një 46-vjeçar që drejtonte automjetin “Seat Altea” ka kthyer majtas në një kryqëzim në rrugën 18, ku nuk kishte shenja komunikacioni, duke ia prerë rrugën motoçiklistit që vinte nga drejtimi i kundërt me një motoçikletë “Kawasaki”, transmeton aktuale.mk.
Për të shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë, motoçiklisti ka kaluar në korsinë e kundërt, ku më pas është përplasur me një automjet “Alfa Romeo” që vinte përballë.
Nga fuqia e goditjes, 19-vjeçari është rrëzuar në rrugë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore, nga të cilat ka ndërruar jetë. Lëndime më të lehta ka marrë edhe drejtuesi i “Alfa Romeos”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari 46-vjeçar pas aksidentit nuk ka qëndruar në vendin e ngjarjes për t’u ofruar ndihmë të lënduarve, por është larguar.
Prokurori publik i ka propozuar gjykatës masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, detyrim për paraqitje në gjykatë, si dhe marrjen e pasaportës dhe patentë-shoferit.
Ai dyshohet për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, si dhe për mosdhënie ndihme ndaj personit të lënduar në aksident trafiku. / Aktuale.mk
