Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën e OSBE-së përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse ishte fokusi i Konferencës së Strugës mbi Dimensionin Ekonomik dhe Ekologjik të OSBE-së në vitin 2023 që është mbajtur në Strugë, në Maqedoninë e Veriut, më 14 qershor.
Ngjarja ofroi platformë për përfaqësuesit e 57 vendeve-pjesëmarrëse të OSBE-së, sektorin privat, komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare që të përfshihen në diskutime mbi sigurinë ekonomike dhe ekologjike në rajonin e OSBE-së dhe në kontekst të agresionit ushtarak rusisë ndaj Ukrainës.
Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në hapje theksoi se pasojat nga ndryshimet klimatike po bëhen më të dukshme dhe dramatike në mbarë botën dhe se ne duhet të sigurojmë qëndrueshmëri të infrastrukturës energjetike dhe tranzicion të qëndrueshëm dhe të sigurt energjetik, ndërsa me luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë të sigurojmë parakushte për zhvillim stabil ekonomik dhe social.
“Maqedonia e Veriut vazhdimisht edhe përmes kësaj Konference, inkurajon më tej për rimëkëmbjen ekonomike dhe tejkalimin e sfidave ekonomike dhe ekologjike në rajonin e OSBE-së. Lufta kundër korrupsionit, si pjesë e problematikës në Dimensionin e Dytë, mbetet prioriteti kryesor i Kryesimit tonë”, tha Osmani.
Me qëllim të forcimit të dialogut dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, pjesëmarrësit diskutuan për tema, si: Forcimi i qeverisjes së mirë përmes transparencës dhe masave antikorruptive, ballafaqimi me sfidat nga ndryshimet klimatike, promovimi i sigurisë energjetike dhe inkurajimi i qëndrueshmërisë përmes lidhjes, tregtisë dhe lehtësimit të transportit.
Duke mbuluar spektër të gjerë temash nga çështjet ekologjike dhe ekonomike, të cilat e përbëjnë dimensionin e dytë të sigurisë së OSBE-së, pjesëmarrësit dhe folësit theksuan urgjencën e zhvillimit të mjeteve për të forcuar sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin në fushën e klimës, mjedisit jetësor, teknologjisë dhe tregtisë.
“Ekonomitë tona sapo kanë filluar të rimëkëmben. Duhet të punojmë së bashku duke shkëmbyer informacione dhe duke nxitur bashkëpunimin rajonal dhe ndër-rajonal me qëllim që të kemi ndikim në terren. Të gjitha vendet pjesëmarrëse e kanë të domosdoshme të ballafaqohen me pasojat afatgjate të situatës së aktuale duke vendosur masa dhe plane ekonomike që promovojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje gjithëpërfshirëse inkluzive” tha Osmani.
Rreth 150 pjesëmarrës e shfrytëzuan mundësinë që në Konferencë ta vazhdojnë dialogun shumëvjeçar për çështjet ekonomike dhe mjedisore lidhur me sigurinë, i cili tradicionalisht zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik dhe Ekologjik. Ndonëse Federata Ruse kundërshtoi që kjo konferencë të organizohet me vendim konsensual të 57 vendeve, prandaj Maqedonia e Veriut u detyrua ta organizojë atë si ngjarje e kryesuesit.
Konferenca e Strugës u organizua nga Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit për Aktivitete Ekonomike dhe Ekologjike të OSBE-së.