Tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në një autobus në Gllogjan të Deçanit, i cili po barte nxënës.
Pas këtij sulmi, Policia dhe Prokuroria e Kosovës kanë thënë se janë duke punuar në zbardhjen e këtij rasti.
Mirëpo, zyrtarë dhe mediet në Serbi kanë vazhduar propagandën e tyre, duke e cilësuar këtë sulm si terrorist.
Lidhur me këto pretendime ka reaguar edhe shefi i kabinetit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela duke i cilësuar këto si narrativa të rreme nga regjimi serb.
“Paralajmërim dezinformues: Një ekspert i vetëshpallur kundër terrorizmit, i cili është në listën e pagave të [Milorad] Dodikut, propagandon narrativë të rreme të regjimit të Serbisë për sulmin tragjik në Gllogjan. Sulmi nuk kishte të bënte me terrorizmin dhe Policia e Kosovës po punon për të sjellë para drejtësisë autorin(ët) sa më shpejt”, ka reaguar Vela në profilin e tij në Twitter.
Po ashtu, ka reaguar dhe gazetari Albert Spahiu, ku ka thënë se kjo propagandë është kundër imazhit të Kosovës dhe se nuk është hera e parë që këto dezinformata vijnë nga Serbia, të mbështetura nga Rusia.
“Propagandistët serbë thonë se sulmi në Gllogjan/Deçan është ‘terror shtetëror’, por ky dezinformim kundër imazhit të Kosovës – nuk është hera e parë nga Serbia që përhap këtë narrativë të rreme, të përkrahur nga Rusia”, thuhet në reagimin e Spahiut në Twitter.
Lidhur me këtë KosovaPress ka marrë edhe qëndrimin e pedagogut të shkencave të komunikimit në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, i cili ka thënë se është bërë e zakontë që portali serb “Kosovo-Online” dezinformon për Kosovën, madje duke shfrytëzuar edhe tragjedi si kjo e fundit në Gllogjan.
“Portali ‘Kosovo-Online’ njihet si një nga adresat ku shpesh shohim dezinformata për Kosovën, ndërsa nuk është hera e parë që edhe vetë Galijasevic është protagonist në dezinformata të tilla, madje duke shfrytëzuar edhe tragjedi si kjo e fundit”, ka thënë ai.
Këtë sulm e kanë dënuar zyrtarë më të lartë shtetëror dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në vend.