Propagandë apo lajthitje- Nisin ‘talljet’ për “shtetin bektashi” të Edi Ramës

Shashka që hodhi Edi Rama për krijimin e një shteti sovran bektashi në rrethinat e Tiranës, sipas modelit të Vatikanit dhe që mund të drejtohet nga Baba Mondi është pritur me dyshim.

Marketing

Në njërën anë qëndron raportimi i New York Times, në të cilin Rama flet për “një mikroshtet të moderuar islamik”, shoqëruar me detajet se “territori është “një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit” ku “vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi” dhe që “nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata”.

Vetëm emri i medias amerikane është një garanci. Sado ekzotike t’i jetë dukur reporterëve amerikanë ideja e Ramës, shkrimi ka kaluar në disa filtra verifikimi para se të publikohet. Vështirë të besohet se NYT mund të bjerë pre kaq lehtë e një mashtrimi të rëndomtë të zyrës së propagandës së Ramës.

Në fund të fundit është e njëjta media, që kur u zbulua marrëdhënien e natyrës korruptive mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal, doli me disa raportime që u shndërruan në pikë reference për të kuptuar të vërtetën, falë qasjes profesionale të gazetarëve amerikanë. A mund të ketë ndodhur që Rama t’i ketë peshkuar me idenë e tij të “çmendur”, ndërkohë që e gjitha do të mbetet një fantazi pa asnjë lidhje me realitetin?

Dyshimet i ka forcuar reagimi i parë i Baba Mondit, që e ka nxjerrë bllof kryeministrin me një prononcim për A2. I telefonuar nga gazetari Andrea Danglli, Baba Mondi ka pasur një reagim të pafiltruar dhe ka thënë naivisht që Rama “Na ka befasuar”.

Sipas Baba Mondit ideja dhe përgjegjësa për ato që ka thënë për Neë York Times është e gjitha e Ramës, sepse bektashinjtë nuk kanë pretendime për ndonjë shtet sovran.

“Lajmi se Shqipëria mund t’i japë sovranitet Urdhrit Bektashi për pavarësi territorial na ka befasuar. Ne nuk e kemi kërkuar dhe nuk pretendojmë të krijojmë një shtet Mysliman. Nisma është tërësisht e kryeministrit Rama. Nuk jemi pyetur, mbi ato që Kryeministri ka deklaruar në ‘The Neë York Times’”, tha Baba Mondi për “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN.

Deklaratat nxjerrin krejtësisht zbuluar kryeministrin, që nëse është kështu mund të ketë mashtruar një nga mediat më të mëdha amerikane. A është e mundur që Baba Mondin mos ta kenë pyetur fare atë për “shtetin” që po i bëjnë gati?

Duke njohur përpjekjet e ethshme të Ramës për të rënë në sy në samitet ndërkombëtare, nuk është çudi që e gjitha të jetë një shpikje e pabazë, e fabrikuar në zyrat e kryeministrisë para se Rama të nisej në samitin e OKB-së.

Në fakt, ndodh për herë të parë që New York Times përmend Shqipërinë dhe reagimet pasojnë plot humor dhe cinizëm.

“Debate të forta ka patur midis Ramës dhe Baba Mondit për faktin se, Rama iniston që brenda territorit të Republikës, të përfshihet dhe inceneratori i Tiranës. Mësohet se Baba Mondi ka rënë dakort vetëm me një kusht: që inceneratori i Tiranës të kthehet në ‘duty free’” ka shkruar Andi Bejtja, në një shkrim që bojatis me jeshilen e Baba Mondit kullat e Ramës, mediat e kapura të qeverisë dhe inceneratorët e saj inekzistentë.

Ardhjen e shtetit të ri bektashi e lajmëron me cinizëm edhe Lutfi Dervishi, që tani sheh vetëm dy zgjedhje për besimtarët dhe ateistët.

“Ka ardhur kohe tjetër: koha e tolerancës fetare, por tani me “kufij”! Tashmë për besimtaret dhe ateistet ka më shumë zgjedhje: ose te Papa në Vatikan ose te Baba papa në Tiranë!” ka shkruar ai.

Gjithsesi nuk është hera e parë që Edi Rama trullos publikun me tymuese si kjo e shtetit të ri bektashi.

Shumë mund ta kenë harruar, por disa muaj më parë, kryeministri premtoi një mrekulli ekonomike që pritej të dilte nga puset e naftës në Shpirag. Për ta bërë më të besueshëm, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë krahasohej me atë të vendeve arabe. Pas tre ditësh, gjithçka ishte harruar.

Edhe për idenë e shtetit bektashi, nuk është çudi që pas tre ditësh, e vetmja gjë që do të mbahet mend, të jenë meme në rrjetet sociale. Disa prej tyre më poshtë: