Propozim buxheti i vitit 2019 është i pranueshëm për shqiptarët, vlerëson zv.ministrja e financave Shirete Elezi.
Sipas saj buxheti të cilin ka hartuar ministria e financave do të sigurojë stabilitet makro ekonomik dhe konsolidim të stabilitetit fiskal.
Një pjesë e bukur e parave sipas zv ministres Elezi do të shkojnë për projekte infrastrukturore nëpër të gjitha vendbanimet e Maqedonisë, pa përjashtime.
“Me buxhet janë planifikuar mbi 25 miliardë denarë investime infrastrukturore, gjegjësisht mbi 418 milion euro, duke përfshirë të gjitha resorët, qoftë në sferën e arsimit, sferën e shëndetësisë, në sferën e punës dhe politikës sociale, në sferën e kulturës, zhvillim ekonomik mbi të gjitha dhe po ashtu kemi respektuar edhe strategjinë në periudhën afatmesme, në të cilën deficit buxhetor nuk do të tejkaloj 2.5%. Sigurisht që kemi planifikuar edhe rritjen e të hyrave dhe infrastrukturën në të gjitha vendbanimet, qofshin ato rurale apo urbane” – tha zv. ministrja e Financave, Shyrete Elezi.
Propozim- buxheti i vitit 2019 është i projektuar për rritje prej 3.2% të PBV-së. Të hyrat publike janë projektuar në 210.8 miliard denarë, kurse shpenzimet e përgjithshme në 228.5 miljrad denarë. Pritjet janë që norma e inflacionit të jetë e ulët dhe stabile në 2%kurse janë siguruar 1.1 miliard denarë për masa për punësim, me të cilat pritet që niveli i papunësisë të ulet në rreth 20%.
Me buxhetin planifikohen edhe rritje të rrogave, me çka rritja e rrogës në bazë nominale do të shkojë në 4.5%. Propozim buxheti u miratua të enjten në seancë të qeverisë dhe i njëjti do ti dërgohet Kuvendit për miratim.