Propozim-buxheti 2023, Besimi: 250 mln euro për krizën ekonomike

Qeveria i dha dritë jeshile propozim-buxhetit për vitin 2023. Të hyrat e përgjithshme janë planifikuar për 282 miliardë denarë – apo 4,6 miliardë euro, shpenzimet deri në 324,8 miliardë denarë – apo 5,3 miliardë euro, deficiti vlerësohet të arrijë në 42.75 miliardë denarë – apo  700 milionë euro. Rritja ekonomike e parashikuar për vitin e ardhshëm pritet të jetë 2.9 për qind, ndërsa parashikimet për inflacion parashihen  deri në 7.1 për qind. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se paratë e  do të përdoren aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e synimeve për një cilësi më të lartë jetese.
“Buxhet i cili garanton përkrahje dhe buxhet të krizës ekonomike. Afër 250 milion euro janë për menaxhimin e krizës ekonomike dhe kemi gjithashtu rritje në të gjitha pozicionet sa i përket investimeve kapitale dhe është buxhet i cili e aplikon rregullin e artë ku investimet kapitale të buxhetit apo shpenzimet janë më të larta se sa deficiti buxhetor. Me këtë buxhet do të arrijmë të menaxhojmë konsolidimin fiskal, menaxhimin me krizën ekonomike dhe përkrahjen e rritjes ekonomike.”,- deklaroi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Synohet intensifikimi i zbatimit të projekteve infrastrukturore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemet shëndetësore, arsimore dhe sociale, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit dhe të drejtësisë. Besimi sqaroi edhe planifikimet për autostradën Shkup-Bllacë dhe Korridorin 8.
“Për autostradën Shkup-Bllacë janë të parapara mjete nga kredi nga Banka Evropiane për Zhvillim, grand nga programi për Ballkanin perëndimor. Projeksioni është 187 milion euro. Projekti është i kompletuar, do të ketë ankand publik dhe do të nisë ndërtimi vitin e ardhshëm. Pjesa tjetër e Korridorit 8 gjithashtu nga Banka Evropiane për Zhvillim janë të siguruara mjetet sa i përket 12 kilometrave që janë ndërmjet Kërçovës dhe Zajasit, ose Bukoçit, e cila do të realizohet me afër 150 milion euro… Pjesa që është Kërçovë-Ohër janë ndërrim e sipër dhe gjithashtu në kuadër të Drejtorisë për Rrugët Shtetërore, dinamika realizohet, mjetet sipas programit janë të parapara.”,- u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi.
Janë buxhetuar 75 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 10% më shumë në krahasim me këtë vit, mbështetje firmave dhe bujqve, transferëve të njësive të vetëqeverisjes lokale. 795 milion euro për investime kapitale apo 52.3 më shumë se ketë vit. Shpenzimet rrjedhëse, ndërkaq, janë planifikuar në vlerë prej 275,9 miliardë denarë dhe janë të dedikuara për pagesë të rregullt të pagave për punëtorët e sektorit publik, pagesë të rregullt të pensioneve, të ardhura minimale të garantuara dhe përfitime tjera sociale, pagesë të subvencioneve në bujqësi, mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mbështetje dhe subvencionim i aktiviteteve inovative, si dhe mbështetje e sektorit të energjisë.