Në propozimin francez janë të inkorporuara pikëpamjet kyçe dhe kemi gjuhë të pastër maqedonase në BE, identiteti maqedonas është plotësisht i mbrojtur, ndërsa çështjet historike nuk janë pjesë e procesit të negociatave, thonë në LSDM. Sipas tyre janë fundosur të gjitha gënjeshtrat për asimilim dhe bullgarizimin e vendit teksa kanë akuzuar Hristijan Mickoskin se përmes protestave dëshiron të pengojë procesin e hapur për konsultime të gjera që në fillim.
“Janë fundosur të gjitha trillimet dhe gënjeshtrat për gjoja bullgarizim dhe asimilim. Një punë e tillë nuk ka ekzistuar dhe as do të ekzistojë. Për këtë propozim ka nisur një proces i gjerë konsultimi, si një bazë solide për ndërtimin e një qëndrimi serioz, të përgjegjshëm dhe burrështetas ndaj mundësisë që i hapet vendit tonë. Kur bëhet fjalë për temat me interes të lartë kombëtar dhe shtetëror, siç është rruga e integrimit evropian të vendit, e ardhmja e qytetarëve dhe mbrojtja e identitetit maqedonas, nevojiten përgjegjësi, pjekuri dhe kapacitet shtetëror. Këtë Mickoski as e ka pasur dhe as do ta ketë.”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.