Duke u nisur nga kërkesa e banorëve të Çegranit, keshilltari nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, z. Nasir Musliu në seancën e Këshillit të komunës së Gostivarit insistoi dhe propozoi që të anulohet vendimi i mëparshëm për dhënie në shfrytëzim të hapësirave të ndërtesës së lartëpërmendur për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht vendosjen e Stacionit Policor në fshatin Çegran.
“Banorët e Çegranit janë kundër vendosjes së Stacionit Policor në hapësirat e ndërtesës së ish komunës së Çegranit, mbase është e vetmja ndërtesë që banorët mund ta shfrytëzojnë për interesat e përgjithshme”, – tha sot këshilltari Nasir Musliu në seancën e Këshillit të komunës së Gostivarit.
Në këtë drejtim, këshilltari Musliu propozoi pikë të rendit të ditës me të cilin kërkoi të anulohet vendimi i mëparshëm i Këshillit të komunës së Gostivarit për dhënie në shfrytëzim të hapësirave të ndërtesës së lartëpërmendur për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pika e propozuar nga këshilltari Musliu u përkrah nga këshilltarët e BDI-së dhe RDK-së ,por nuk u përkrah nga këshilltarët e koalicionit ASH & VMRO – DPMNE, andaj nuk mori vota të mjaftueshme për aprovim.
Në vijim, në pyetjen që iu parashtrua këshilltarit Musliu se çka do të bëhet më tutje, ai u shpreh që: Vullneti i banorëve të Çegranit është në rend të parë dhe për këtë kemi edhe përkrahjen e zv.ministrit, z. Agim Nuhiu.
“Por nuk e lejmë me kaq, unë të njëjtën pikë do ta propozoj edhe në seancat e ardhshme, do të tentoj të bind edhe këshilltarët e tjerë të japin përkrahje. Me këtë, do ta respektonim bashkërisht vullnetin e banorëve të Çegranit”, – u shpreh Musliu.
BDI – dega në Gostivar fton drejtuesit e komunës por edhe këshilltarët komunal, pa dallime politike, në seancën e ardhshme të reflektojnë dhe të përkrahin propozimin që lind si kërkesë e banorëve të Çegranit.
Me respekt;
Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, BDI – dega në Gostivar