Policia në Paris ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët po protestojnë për të dytën javë me radhë, kundër rritjes së çmimit të karburanteve.
Përleshjet mes protestuesve dhe policëve ndodhën në Champs-Elysees, teksa protestuesit tentuan që të kalojnë kordonin policor, që u vendos në qendër të qytetit.
Vlerësohet dhe disa mijëra protestues po protestojnë më Paris, ndërkaq 3 mijë policë kanë dalë që të mbajnë rendin në këtë protestë.
Të njohur si “xhaketat e verdha”, për shkak të veshjeve me këtë ngjyrë, protestuesit po kundërshtojnë rritjen e detyrueshme të karburantit të naftës.
Çmimi i naftës, karburantit më të përdorur nga makinat franceze, është rritur rreth 23 për qind në 12 muajt e kaluar, në një mesatare prej 1,51 euro për litër – çmim ky më i larti që prej vitit 2000.
Çmimet botërore të naftës kanë rënë, por qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka rritur taksën ndaj hidrokarbureve këtë vit në 7,6 centë për litër në naftë dhe 3,9 centë në benzinë, si pjesë e një fushate për makina me karburant më të pastër.
Por, vendimi për të pasur edhe një rritje tjetër prej 6,5 centësh për naftë dhe 2,9 centë për benzinë – vendim ky që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2019 – ka qenë arsyeja që ka nxitur njerëzit që të protestojnë.