Protesta LIVE/ Opozita kërkon largimin e Fatmir Xhafajt

Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja LSI-së, Monika Kryemadhi, të shoqëruar nga mbështetës, janë nisur nga selitë respektive drejt Ministrisë së Brendshme për të kërkuar largimin e Fatmir Xhafajt.

Marketing

“Sot më shumë se kurrë të gjithë kërkojnë ikjen e Ramës dhe grupin e tij që kanë bllokuar hapjen e negociatave. Edhe kushtet e vështira, ne jemi të gatshëm t’i marrim përsipër, që t’u hapim shqiptarëve rrugën negociatave. Largimi i Edi Ramës largon çdo problematikë e do tu japë shpresë shqiptareve.”- është shprehur Kryemadhi për mediat.

Mijëra qytetarë janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme, ndërsa forca të shumta policie po monitorojnë situatën.

Protesta e opozitës vjen pas publikimit të audio-përgjimit, ku pretendohet se është regjistruar vëllai i Ministrit të Brendshëm, duke folur për trafik droge.

Akuzat janë mohuar nga kryeministri Edi Rama, si dhe nga ministri i Brendshëm, ndërsa opozita nuk është tërhequr nga kërkesa për largimin e Xhafajt.