Pas protestës së djeshme në Tetovë, kur qytetarët e Tetovës në mënyrë paqësore e të qetë e shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qëndrimit që ka pushteti kundrejt tragjedisë në spitalin modular, në vend të llogarisë për këtë tragjedi, pushteti vazhdon me presione, duke i arrestuar pjesëmarrësit e kësaj proteste.
Kjo është arsyeja që AlternAtivA i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të mos luajë me ndjenjat e tetovarëve. Nëse dikush duhet arrestuar, ata janë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të Komunës së Tetovës dhe përgjegjësit e spitalit, por jo protestuesit që reagojnë ndaj atyre që ata i konsiderojnë përgjegjës të djegies në zjarr të familjarëve dhe bashkëqytetarëve të tyre.
Prandaj, derisa situata nuk ka eskaluar, kërkojmë nga MPB-ja t’i lirojë sa më shpejt personat që mbahet të ndaluar dhe ata t’i kthejë nëpër shtëpitë e tyre. Në të kundërtën, do të detyrohemi të konsiderojmë se MPB-ja dëshiron ta mbajë akoma të ndezur flakën në Tetovë.