Protestë në Shkup, kërkohet drejtësi për rastin “Monstra”

Me moto të ndryshme që ftonin për drejtësi në rastin “Monstra”, qytetarë të shumtë dolën në protestë, ku kërkonin shkarkim të prokurores, Fatime Fetai, dhe ndihmë nga institucionet ndërkombëtare për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të  rastit “Monstra”.

Marketing

Familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari, dhe njëherit organizator i protestës, kërkoi shkarkimin e prokurores Fetai, pasi, siç tha kjo e fundit, e trajton rastin nga aspekti politik.

“Kërkojmë që të shkarkohet prokurorja, Fatime Fetai, e cila ka realizuar urdhrin e qarqeve politike dhe dorës së zezë…Kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i rastit që të mos marrë fare parasysh kërkesën e prokurorisë, kërkesë edhe ashtu e jashtëligjshme, sepse përcakton masat e dënimit. Kërkojmë ndihmë nga përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Maqedoni nga BE dhe ShBA, që të ndihmojnë që këto raste të montuara të trajtohen nga këndi i pavarur.”,- deklaroi organizatori, Bedi Ajdari.

Protestuesit kërkuan drejtësi edhe për rastet tjera, përfshirë rastin “Alfa”, “Almirit të vogël”, si dhe rastin “Kumanova”. Protesta me disa përjashtime të vogla u zhvillua në mënyrë të qetë.

Lënda e rastit “Monstra” me vendim të Gjykatës Supreme u rikthye në ri-gjykim, ndërsa edhe përkundër asaj që lënda u nis nga e para, Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore sërish i akuzoi të njëjtit persona, me përjashtim të Sami Lutës, se janë fajtorë për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012.