Dhjetëra mijëra njerëz mbushën mbrëmë rrugët e Tel Aviv dhe qytete të tjera izraelite për të kërkuar edhe një herë që qeveria të bëjë një marrëveshje për të liruar pengjet që ende mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.
Demonstruesit kërkuan që kryeministri Benjamin Netanyahu t’i japë fund luftës në enklavën e rrethuar dhe të shkatërruar palestineze në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite.
Demonstrata e djeshme ishte më e madhja që nga fillimi i konfliktit të armatosur.
Lufta Izrael-Hamas shpërtheu më 7 tetor kur krahu ushtarak i lëvizjes islamike palestineze nisi një bastisje të paprecedentë në sektorët jugorë të territorit izraelit duke vrarë 1,194 njerëz, kryesisht civilë.
251 persona të tjerë u rrëmbyen, nga të cilët 116 mbahen ende peng në Rripin e Gazës, por 41 besohet të jenë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.
Në hakmarrje, forcat e armatosura izraelite kanë nisur operacione në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës që kanë vrarë të paktën 37,296 njerëz, shumica prej tyre civilë, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë në enklavën e sunduar nga Hamasi. /abcnews.al