Provat e inaugurimit të Bidenit u pezulluan pas një alarmi zjarri

Forcat e sigurisë amerikane evakuuan pjesëmarrësit gjatë një prove për inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, para Kongresit pasi u raportua për shpërthimin e një zjarri afër.

Marketing

Kompleksi i Kongresit në Uashington u mbyll për pak kohë dhe prova u pezullua më 18 janar pasi një zjarr u ndez disa blloqe larg në një kamp të pastrehësh. Uashingtoni është në gatishmëri të lartë për protesta të mundshme të dhunshme përpara inaugurimit të Bidenit më 20 janar. Më shumë se 20.000 pjesëtarë të armatosur të Gardës Kombëtare po mbështesin policinë lokale dhe federale këtë javë pasi protestuesit sulmuan Kongresin më 6 janar, duke lënë të vdekur pesë persona, përfshirë një oficer policie.

Forcat e sigurisë kanë ndaluar hyrjen e automjeteve në shumë rrugë rreth Kongresit dhe kanë ngritur një gardh të lartë shtatë metra rreth perimetrit të ndërtesës.

Fotografitë e postuara në mediat sociale treguan zjarrin në kampin e të pastrehëve që ndodhet nën një autostradë. Është e paqartë se si filloi zjarri ose nëse dikush është lënduar.

Pak pasi shpërtheu zjarri, u dëgjuan sirenat e policisë dhe helikopterët fluturuan mbi zonë. Pjesëmarrësit në provë, u udhëzuan të drejtoheshin në një vend të sigurt brenda kompleksit të Kongresit.