Pse dita e hënë është e lodhshme?

Dita e hënë shpesh perceptohet si dita më e vështirë e javës, por a është ky thjesht një perceptim apo ka një bazë shkencore për këtë fenomen? Studime të ndryshme kanë treguar se kalimi nga fundjava në ditët e punës mund të ndikojë negativisht në gjendjen tonë emocionale dhe fizike, duke e bërë ditën e hënë më të lodhshme dhe më stresuese.

Marketing

Një faktor kryesor për këtë është ndryshimi i ritmit cirkadian (gjumë-zgjim). Gjatë fundjavës, shumica prej nesh priren të qëndrojnë zgjuar më gjatë dhe si rrjedhojë, të flenë më shumë në mëngjes. Kjo shkakton një “jet lag social,” (një lloj çrregullimi që ndodh kur ritmet tona natyrore të gjumit ndryshojnë), duke e bërë të vështirë kthimin në rutinën normale të punës të hënën. Sipas ekspertëve, ky ndryshim mund të ndikojë në cilësinë e gjumit dhe në performancën mendore gjatë fillimit të javës.

Gjithashtu, një presion psikologjik i ndjeshëm lidhet me ditën e hënë. Ndjenja se duhet të përballojmë një javë të re plot me detyra, angazhime dhe afate mund të krijojë ankth dhe stres. Studimet kanë treguar se nivelet e hormoneve të stresit, siç është kortizoli, rriten më shumë të hënën se në çdo ditë tjetër të javës.

Por si mund ta ktheni këtë ditë të vështirë në një fillim të mbarë të javës?

Niseni javën me diçka pozitive

Në vend që të përqendroheni te detyrat sfiduese dhe të vështira, planifikoni diçka të këndshme për të hënën, si një aktivitet që ju pëlqen ose një takim me një mik para nisjes së punës.

Krijoni një rutinë mëngjesi që ju furnizon me energji

Mëngjesi është momenti kur vendosni ‘fatin’ për të gjithë ditën. Konsumoni një mëngjes të shëndetshëm, bëni disa ushtrime fizike dhe merrni disa minuta për të reflektuar.

Planifikoni javën tuaj të premten

Nëse i hidhni një sy detyrave të javës që po vijnë që të premten, do të jeni më të përgatitur dhe do të keni një ide më të qartë për çfarë ju pret të hënën.

Rivlerësoni këndvështrimin tuaj ndaj punës

Nëse e shihni punën thjesht si një ngarkesë dhe pengesë në jetën tuaj, është normale të ndiheni të stresuar të hënën. Mundohuni të përqëndroheni në anët pozitive të punës suaj.

Mos e ngarkoni të hënën me shumë detyra

Planifikoni një të hënë më të lehtë dhe gradualisht shtoni fluksin e punës gjatë javës. Kjo do t’ju ndihmojë ta filloni ditën më qetë dhe të mos e shihni të hënën si një ditë me ngarkesë të madhe.

Duke zbatuar këto strategji, dita e hënë mund të kthehet nga një pengesë, në një mundësi për një fillim të ri dhe energjik të javës.

Marketing