Pse duhet të konsumoni patjetër kungull, vlerat ushqyese dhe përfitimet shëndetësore

Kungulli është një nga perimet më të dashura të vjeshtës. Ky ushqim i pasur në vlera, vitamina dhe minerale përmban pak kalori.

Marketing

Farat, gjethet dhe lëngjet e nxjerra prej tij janë shumë të mira me shëndetin. Një perime të tillë arrin të bëjë pjesë në regjimin ushqimor në mënyra të ndryshme.

Atë mund ta konsumojmë si ëmbëlsirë, supë, sallatë, komposto apo edhe si zëvendësues për gjalpin nëse e përdorni në formë pureje për gatimet me pjekje. Kungulli përmban kalium që ka një ndikim pozitiv në tensionin e gjakut. Antioksidantët tek kungulli munden të parandalojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira dhe të përmirësojnë shikimin. Kungujt e paprerë mund të ruhen në një vend të freskët dhe në errësirë për 2 muaj.

Arsyet përse kungulli të bën mirë

Shëndeti i syve dhe sistemi imunitar

Kungulli është i mirë për sytë dhe për sistemin imunitar sepse është i pasur me vitaminë A. Një racion i vetëm me kungull ofron 200 përqind të dozës së rekomanduar ditore të këtij ushqyesi kaq të dobishëm për organizmin.

Shëndeti i zemrës

Kungulli përmban kalium dhe antioksidantë të cilët mund të parandalojnë sëmundjet e zemrës por edhe disa lloje kanceri.

Kolesteroli

Sterolët bimorë tek farat e kungullit ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq. Të njëjtin rol luajnë edhe acidet yndyrore omega-3 që ulin trigliceridet dhe tensionin e gjakut.

Pesha trupore

Kungulli është një ushqim i lehtë dhe me pak kalori. Një racion i vetëm përmban vetëm 50 kalori. I njëjti racion përmban 3 gramë fibër që do të thotë se do të ndiheni të ngopur për më gjatë.