Pse në Bjellorusi vazhdon të luhet futbolli, përkundër koronavirusit?

Përkundër se pothuajse e gjithë Evropa është “izoluar” nga koronavirusi – kjo duke përfshirë edhe futbollin, për të parandaluar përhapjen edhe më të madhe të virusit COVID-19 – e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Bjellorusinë.

Marketing

Premierliga në Bjellorusi po vazhdon të luhet si normalisht, përkundër pandemisë që e ka kapluar globin, e posaçërisht Evropën.

Sezoni i ri i kampionatit elitar në Bjellorusi filloi më 19 mars, dhe ndeshjet nuk janë ndalur apo pezulluar.

Por, pse po vazhdon kampionati në Bjellorusi, përkundër koronavirusit?

Premierliga bjelloruse, e njohur ndryshe si ‘Vysheyshaya Liga’, është kampionati i vetëm i madh i futbollit, që po vazhdon të zhvillohet në Evropë.

Si rezultat i të vazhduarit të kampionatit, Federata e Futbollit në Bjellorusi u ka shitur të drejtat televizive 10 shteteve, përfshirë këtu Rusinë, Izraelin dhe Indinë.

Një Bjellorusi, personat mbi 65 vjeç po këshillohen të qëndrojnë në shtëpi, derisa nxënësit janë autorizuar mos të shkojnë në shkollë.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka theksuar se e gjitha kjo vazhdon të mbetet një biznes, përkundër se shumica e Evropës është izoluar, duke mbyllur edhe kufijtë.

“Kjo psikozë ka paralizuar ekonomitë e vendeve pothuajse çdokund në botë. Jeta po vazhdon. Nuk mund ta ndalësh atë”, ka thënë ai, duke refuzuar t’i ndalë ngjarjet sportive.

Madje, presidenti Lukashenko është parë duke e zhvilluar edhe një ndeshje të hokejit në akull, duke theksuar se “këtu nuk ka viruse”.

A do të zhvillohen ndeshje të tjera?

Ndeshja derbi e zhvilluar ndërmjet FK Minsk dhe Dinamos, e luajtur më 28 mars, u zhvillua me tribunat gjysmë të zbrazëta, pasi që disa tifozë ishin të merakosur se mund të merrnin virusin.

Por sidoqoftë, kampionati do të vazhdojë me ndeshje të tjera, që nga kjo e premte.

Të premten, 3 prill zhvillohet një ndeshje, kurse të shtunën e të dielën, më 4 e 5 prill, zhvillohen nga tri ndeshje.

Kampionati elitar bjellorus përbëhet nga 16 ekipe, derisa skuadra që e fiton titullin kampion shkon tutje në fazën e kualifikimeve për në Ligën e Kampionëve, ndërsa tri ekipe bien nga liga.