Komiteti Hetimor Rus njoftoi të shtunën se të paktën 115 persona u vranë në sulmin në sallën “Crocus City”. IS-K mori përgjegjësinë për sulmin dhe shërbimet e inteligjencës perëndimore kohët e fundit përgjuan bisedat në të cilat dukej se islamistët po planifikonin diçka.
Shteti Islamik është duke u forcuar sërish vitet e fundit.
Shteti Islamik është duke u forcuar sërish vitet e fundit, veçanërisht IS-K. Khorasan është term i lashtë që i referohet rajoneve të Turkmenistanit, Afganistanit dhe Iranit. Anëtarët e IS-K janë kryesisht luftëtarë të pakënaqur të talebanëve pakistanezë, por ata vijnë edhe nga zona të tjera.
Vend ideal për rekrutim është rajoni i Azisë Qendrore, si dhe Federata Ruse, Dagestani dhe Çeçenia. Ndërsa IS u forcua në Irak dhe Siri, IS-K u shfaq në Afganistanin lindor në vitet 2011 dhe 2015. Operacionet amerikane shkatërruan forcat e tyre, por pas tërheqjes së trupave amerikane më 2021, ato u rimëkëmbën.
Ndryshe nga grupet e tjera terroriste, Shteti Islamik ka ambicie transnacionale. Shërbimet kundër terrorizmit kanë parandaluar sulme të shumta në Evropë gjatë viteve të fundit.
Pse sulmi ndaj Rusisë?
Një nga objektivat e saj është Rusia. IS beson se presidenti rus Vladimir Putin dhe regjimi i tij po vrasin myslimanët. Me këtë ai nënkupton operacionet ushtarake ruse në Çeçeni, Siri dhe Afganistan. Në dy dekadat e fundit, grupet islamike kanë sulmuar vazhdimisht territorin rus.
Ndër sulmet më të rënda ishin ato në teatrin Nord Ost më 2002 dhe masakra në Beslan më 2004, gjatë së cilës u vranë qindra njerëz. Shteti Islamik me siguri dëshiron të shkaktojë kaos në Rusi gjatë pushtimit të Ukrainës. Ashtu si me grupet e tjera terroriste, qëllimi i tij është të shkaktojë frikë dhe pasiguri tek banorët.