Në qershor të vitit 2021 u paralajmërua fillimi i procedurave për rikonstruimin dhe ndërtimin e Bulevardit “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit, por punimet për këtë projekt akoma nuk kanë filluar.
Në një prononcim për Gazetën LAJM, kryetari i Çairit, Visar Ganiu, për zvarritjen e punimet për ndërtimin e këtij bulevardi, ka drejtuar gishtin nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe ministri i Financave Fatmir Besimi.
“E vërteta është që këtë pyetje edhe ne e kemi parashtruar tek Qyteti i Shkupit por nuk kemi pasur përgjigje derisa kryetarja e Qytetit të Shkupit, doli me një medium dhe përmendi që mjetet që kanë qenë të dedikuara dhe planifikuara me një pozicion, për shkak të një dënimi që ka pasur Qyteti i Shkupit, apo për t’i kthyer mjetet një institucioni tjetër, që ai institucion ka fituar me gjyq, përmbaruesi ka marrë atë të drejtë që t’i tërheq mjetet dhe sipas asaj Ministria e Financave ka një metodologji, një algoritëm, ku ajo vetë e përzgjedh pozicionin se prej ku duhet të merren mjetet. Këtë duhet të del dhe ta sqaroj ministri i Financave Fatmir Besimi se përse i bëhet kjo e padrejtë komunës së Çairit, kur e dimë që ministria e Financave në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit i kanë shkurtuar bllok dotacionet, kur e dimë që Qeveria aktuale asnjë projekt nuk e pa të arsyeshme që të parashikojë në buxhetin për të vitin 2024 për investime kapitale në komunën e Çairit edhe pse jemi taksapagues”, tha Ganiu për gazetën LAJM.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë. https://fb.watch/pumpgQ8pej/?mibextid=Nif5oz