Sipas një transmetuesi francez, klubi parisien i ka thënë jo përsëri ofertës së radhës të Barcelonës për Neymarin. PSG-ja e vlerëson të pamjaftueshme këtë ofertë dhe larg asaj që kërkon për brazilianin.
Paris Saint-Germaini e ka refuzuar ofertën më të fundit të Barcelonës për Neymarin në orët e vona të së mërkurës, sipas RCM Sport.
Transmetuesi francez e citon një burim brenda klubit parisien, sipas të cilit, PSG-ja e ka arsyetuar refuzimin e ofertës duke thënë se Barça e di se çfarë kërkon klubi për Neymarin, duke iu referuar propozimit ekonomik që e ka bërë klubi spanjoll.
Burimi i njëjtë shpjegon se PSG-ja nuk ka kohë, para se të mbyllet afati kalimtar veror më 2 shtator, për të arritur marrëveshje me lojtarët që Barcelona ia ka ofruar në marrëveshjen e propozuar për Neymarin.
Prandaj, sipas RMC-së, tani Barça e ka vetëm një mundësi për ta arritur transferimin e 27-vjeçarit, që është ta harrojë shkëmbimin e lojtarëve dhe ta paguajë shumën e plotë që PSG-ja e kërkon për ta shitur Neymarin, pra 220 milionë euro.