Gjykata e Apelit ka hequr masën e paraburgimit për ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski për rastin TNT, ndërsa prokurori Burim Rustemi nga Prokuroria speciale publike (PSP) ka kërkuar sërish nga Gjykata penale të caktojë masë arresti, edhe pse Gruevski nga Maqedonia ka ikur që nga 11 nëntori i vitit të kaluar dhe gjendet në Hungari, ku ka fituar edhe azil.
Rustemi ka kërkuar serish të caktohet masa e arrestit, duke thënë se Gruevski njëherë ka ikur, kështu që ekziston rreziku që ai serish ta bëjë një gjë të tillë.
Lënda TNT ende gjendet në procedurë dëshmuese dhe në seancën e sotme ishte planifikuar që të merren në pyetje dëshmitarët e mbrojtjes.
Krahas Gruevskit, të akuzuar në rastin e rrënimit të kompleksit “Kosmos” të Fijat Canovskit është edhe ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, ish kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski dhe katër persona të tjerë.