Prokuroria i propozoi Gjykatës caktimin e masës së paraburgimit për katër persona, si dhe masën e sigurimit për një person të dyshuar për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh zyrtare, në lidhje me operacionin e djeshëm për kontrabandë të makinave luksoze. Pas aksionit të djeshëm të policisë dhe Prokurorisë, për një person tashmë është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe është në kërkim për përfshirje në një tjetër rast të ngjashëm me kontrabandë me automjete luksoze. Për njërin prej të dyshuarve, procedura do të zhvillohet në Greqi.
“Me procedurë janë përfshirë edhe katër shtetas maqedonas, por aktualisht nuk nevojiten masa për sigurinë e tyre. I dyshuari i njëmbëdhjetë, nga ana tjetër, është shtetas i Republikës së Greqisë dhe për të, duke pasur parasysh bashkëpunimin e krijuar paraprakisht në mes të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe autoriteteve greke, ndjekja penale do të kalojë në Republikën e Greqisë. Përveç këtyre 11 të dyshuarve, me kallëzimin penal të MPB-së janë përfshirë edhe dy persona, megjithatë veprimet e tyre janë përfshirë në procedurën e udhëhequr më parë nga Prokuroria Publike e Shkupit, kështu që kallëzimet ndaj tyre do të hidhen poshtë”, thonw nga Prokuroria.
Në këtë rast dyshohen gjithsej 12 persona, të cilët akuzohen se në vitet 2021 dhe 2022, me dokumente false dhe numra shasie të rreme kanë importuar në vend sasi të mëdha makinash që janë objekt i kërkimit ndërkombëtar, si dhe makina që përndryshe shmangnin kontrollin doganor. Ata i regjistronin automjetet në vend dhe disa prej tyre i kanë rishitur mes vete disa herë për të mbuluar kontrabandën dhe më pas ua kanë shitur përdoruesve të fundit. Në mesin e të dyshuarve në këtë rast ka edhe persona zyrtar, përkatësisht punonjës të shërbimeve administrative për regjistrimin e automjeteve./ Alsat.mk