Publikohen audioincizime të bisedave midis Mickoskit dhe Zoran Milevski Kiçeec (VIDEO)

Katër audio incizime dolën në Youtube të bisedave në të cilat dëgjohen zërat të cilat ngjasojnë me zërat e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, të të akuzuarit të tretë në rastin “Reket”, Zoran Mileski Kiçeec dhe të një gruaje, të cilët sipas kontekstit të dialogëve me siguri janë bërë në periudhën para zgjedhjeve presidenciale vitin e kaluar, kur u mbajtën edhe zgjedhjet për kryetarin e Komunës së Ohrit.

Marketing

Në incizimin e parë zëri që ngjason me atë të Micikoskit, rrëfen për qëndrimin e tij në Ohër me ç’rast përmendet se madje e ka vizituar edhe shtabin zgjedhor të LSDM-së, ku i kanë dhënë material propagandues.

Në incizimin e dytë, zëri i cili ngjason me atë të Kiçeecit flet për gjendjen në terren në Ohër para zgjedhjeve, me ç’rast i përmend Mickoskit: “Kur biseduam herën e kaluar ju thashë”. Kiçeec më pas parasheh se rezultati i zgjedhjeve për kryetar komune në Ohër do të jetë i ngushtë dhe se me siguri do të ketë edhe raund të dytë.

Ai e përmend emrin e një njeriu të quajtur Beno, të cilin e prezenton si person me ndikim në mesin e egjiptianëve në Ohër, me ç’rast thekson se në të kaluarën u është premtuar shumë edhe prej Martin Protugjer dhe nga ish-kryetari i Ohrit Bakraçeski, por se asgjë nuk është plotësuar prej asaj, “dhe ata janë kthyer nga LSDM-ja”.

“Ai është egjiptian, ai është njeri, nuk kërkon ta punësosh drejtor – fshesaxhi, punë të tilla”, thotë Kiçeec.

Pas “analizës” nga Kiçeec për rezultatet e mundshme nga votimi në raundin e parë në Ohër, Mickoski thotë: “Raundin e parë do ta lëmë kështu, mirëpo në të dytin do të bëjmë diçka”.

Në incizimin e tretë zëri i Mockoskit thotë: “Pas 21 prillit shumë gjëra do të jenë më ndryshe dhe të gjithë ata që më nënvlerësuan, pas 21 prillit nuk do të kenë ndërgjegje të pastër”.

“Ty nuk duhet të të kërkojë askush. Unë dhe ti duhet të kemi komunikim të drejtpërdrejtë, jo përmes Petkos, Trajkos, Stankos. Gjithçka dakordojmë, duhet ta dakordojmë unë dhe ti”, i thotë Mickoski – Kiçeecit.

“Unë, kryetar jam njeri që i kryej punët, ekzekutues. Mua kur të më jepni ndonjë detyrë, unë e kryej atë. Unë jam i tillë”, thotë Kiçeec, duke përmendur takim të mundshëm të Mickoskit me Orce Kamçevin.

Në incizimin e fundit Mickoski sërish potencon se pas 21 prillit do të dihen shumë punë…

“Ose do të kemi rezultat të keq dhe nuk do të ketë nevojë për kthesë në maj dhe edhe vetë do të largohem ose do të kemi rezultat të mirë dhe asgjë më nuk do të jetë e njëjtë në VMRO-DPMNE”, thotë Mickoski, duke shtuar se atëherë do t’i duhet bashkëpunimi i Kiçeecit në terren.

Zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet për kryetar të Ohrit u mbajtën më 21 prill të vitit 2019.