Publikohet CV-ja e “njeriut më të ditur” të Ramës. Cakaj ka marrë 3 diploma në 3 vite

Gent Cakaj, që tashmë mban postin e zv.Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, u kthye në mollë sherri mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit refuzoi dekretimin e tij në postin e Ministrit të Jashtëm, post që mbahej më parë nga Ditmir Bushati.

Marketing

Kjo bëri që Kryeministri Rama të propozojë emrin e vet për këtë post, e pas dekretimit nga Presidenti, i delegoi të gjitha kompetencat Cakajt.

Përplasja mes dy krerëve të shtetit shkoi larg, sa Kryeministri nuk hezitoi të thotë:

“Gent Cakaj ka lexuar libra më shumë se sa keni thënë fjalë ju të gjithë në dispozicion. CV në e tij ju do ta keni në dispozicion sapo të bëhet ministër. Të jeni të sigurt që zgjedhja e tij është zgjedhja e një shqiptari si unë. Unë e neveris çdo kënd që nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar zgjedhjen. E neveris! Ai është një ndër njerëzit më të ditur që kam takuar në jetën time”.

Pas kësaj reagimet ishin të shumëta ku ndër të tjera kërkohej edhe CV-ja e tij.

Pas kalimit të kompetencave të ministrit, në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është publikuar “Jetëshkrimi” i Cakajt, ku ajo që bie në sy është se ka marrë 3 diploma në 3 vite.

CV-ja e Gent Cakajt

Zëvendësministër me kompetenca të deleguara për ushtrimin e detyrës së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme

Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990. Gent Cakaj është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari.

Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti.

Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014). Studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

Gent Cakaj ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë, për të cilat është certifikuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Hungari dhe nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë.

Gjatë viteve të shkollimit, Gent Cakaj është angazhuar si konsulent dhe analist për çështje politike, si dhe është autor e bashkë-autor i disa punimeve në këto fusha, botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Pitsburgut në SHBA (2016) dhe së shpejti edhe nga shtëpia botuese prestigjioze Brill (2019).

Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Në të njëjtën kohë, ai ka shërbyer edhe si Koordinator Kombëtar i Republikës së Shqipërisë për Zonën Rajonale Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Në qershor 2018, Gent Cakaj emërohet Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punë të Jashtme, përgjegjës për çështjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe Koordinator Kombëtar i procesit “screening” për hapjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.