PUNA IDEALE, PUNA E SHTETIT. Të gjithë vrapojnë pas administratës

Për dallim prej sektorit privat, i cili ka vështirësi të mëdha të gjejë kuadro të nevojshëm për nevojat e punës, në shpalljet për punësimin në administratën e shtetit paraqiten shumë më shumë të interesuar se sa ka vende pune në sektorin publik. Këtë e mbështesin edhe të dhënat të statistikës zyrtare për muajin janar të këtij viti e që tregojnë se pagat në industrinë përpunuese në shtet janë 20.128 denarë që është për 8000 denarë më pak në raport me pagat mesatare (28.126 denarë) në administratën publike në muajin janar të 2019-ës, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Njëherësh, edhe hulumtimet e para disa viteve kanë treguar se gati gjysma apo 42 për qind e studentëve të diplomuar për punë ideale e vlerësojnë punën e shtetit. Vetëm 10 për qind prej tyre dëshirojnë të punojnë në ndonjë kompani private, ndërsa vetëm një e katërta kishin preferuar të hapin biznes vetanak.

“Në administratën publike dihet se punësuarit nuk duhet të kenë produktivitet të madh dhe të mos angazhohen tepër në vendin e punës. Përkundër kësaj, kemi shembuj që përparohet pa investuar shumë në veten, andaj edhe të rinjtë vlerësojnë se pa ndonjë mund të madh mund të avancohen apo edhe të fitojnë pagë të njëjtë apo edhe më të lartë se tek privati”, thotë konsulentja ekonomike Biljana Markoviq. Nga ana tjetër, vlerësohet se punësimi në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut e rehaton punëtorin deri në pension. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat për rritjen e madhe të numrit të të punësuarve në kompani në pronësi të komunave apo të shtetit. Në 129 ndërmarrje publike në tërë Maqedoninë janë të punësuar mbi 17.872 persona, tregon Regjistri i të punësuarve në sektorin publik. Kjo paraqet dyfishin e të punësuarve në këto kompani në raport me dhjetë vite më parë. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në vitin 2007, në ndërmarrjet publike kanë qenë të punësuar 8299 persona, që do të thotë dyfishimin e tyre në periudhën 2007-2017.

“Një kohë të gjatë tek ne, qytetarët janë të mendimit se me punësimin në shtet apo në sektorin publik do të kenë një stabilitet më të madh për një periudhë më të gjatë kohore, si dhe më shumë do t’ju respektohen të drejtat e tyre si punëtorë. Përkundër asaj se të njëjtat respektohen edhe në numrin më të madh të firmave private”, thonë nga Instituti financiar “Fajnens Think”.

Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë renditen menjëherë pas Shqipërisë dhe Turqisë për përqindjen më të lartë të të anketuarve që janë përgjigjur që ka gjasa që ta humbasin vendin e punës në gjashtë muajt e ardhshëm. Pyetja e Anketës për Cilësi të Jetës, të kryer në vitin 2018, nga ana e Komisioni Evropian se “Sa gjasa ka që të humbisni vendin e punës në gjashtë muajt e ardhshëm?”, ka marrë përqindjet më të larta në Shqipëri me 28 për qind, në Turqi me 23 për qind, e pasuar me nga 17 për qind në Maqedoni dhe Greqi.

Në ndërkohë, ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Gjermania si shtet ku sindikata janë shumë të forta dhe Malta, janë dy shtetet ku përqindja e të anketuarve të cilat kanë thënë se kanë gjasa të humbasin vendin e punës është më e ulëta, vetëm 5 për qind. Ndërsa ndër vendet anëtare të BE-së që kanë përqindjen më të lartë të njerëzve që kanë frikë se në gjashtë muajt e ardhshëm mund të humbasin vendin e punës është Greqia me 17 për qind. Më pas renditet Lituania dhe Qipro me 16 për qind, si dhe Estonia me Letoninë me nga 15 për qind. Përqindjen më të ulët në rajon e ka Mali i Zi, ku vetëm 14 për qind e të anketuarve janë shprehur se ka gjasa se mund ta humbasin vendin e punës.

Ndryshe, në të ardhmen – sfidë për shoqërinë paraqet edhe zgjidhja e problemeve me sistemin e arsimit të mesëm dhe atij të mesëm profesional, pasi Maqedonisë i mungon praktika më e madhe e që do të ofrojë kuadër të gatshëm që menjëherë të inkuadrohet në procesin e punës. Problem tjetër është edhe fakti se sistemi arsimor në Maqedoni fare pak prodhon kuadër të trajnuar për kërkesat e biznesit dhe industrisë në shtet. Bile, në nivel shteti, janë shumë të dobëta lidhjet midis nevojave të biznesit, tregut të punës dhe arsimit profesional të mesëm. Shpesh edhe profilet arsimore nuk i përgjigjen nevojës së kompanive private, ndërsa nxënësve ju mungon edhe praktika profesionale përkundër njohurive teorike. (koha.mk)

Marketing