Në fillim të korrikut, Qyteti i Shkupit paralajmëroi restaurimin e 13 shkollave të mesme të cilat gravitojnë në territorin e saj. 11 prej të cilave rinovohen pjesërisht, ndërsa dy do të kenë restaurim të thellë. Shkollat, sipas paralajmërimeve, duhet të jenë gati më 1 shtator, por sa do të realizohet kjo – i mbetet kohës. Valon Salihu, zëdhënës i Qytetit të Shkupit thotë se në 11 shkolla po punohet paralelisht, ndërsa në dy, respektivisht “Marija Kiri SKlodovska” dhe “Cvetan Dimov”, të cilat kanë nevojë për restaurim të përgjithshëm, ende nuk kanë filluar punimet dhe se të njëjtat fillojnë përfundimit të procedurave ligjore.
“Për momentin po punohet në restaurimin e fasadave të 11 shkollave te mesme ne Qytetin e Shkupit. Paralelisht po punohet në të gjitha shkollat dhe plani është që të gjitha të jenë gati deri më 1 shtator. Sa i përket shkollës ‘Cvetan Dimov’dhe ‘Maraja Kiri’, këtu jemi në procedurën e prokurimit publik. Me punë do të fillojmë sapo të mbarojmë me të gjitha procedurat dhe dokumentet ligjore. Këto dy shkolla planifikohen të mbarohen gjatë vitit të ardhshëm, pasi bëhet fjalë për restaurim të përgjithshëm”, tha për KOHA, Salihu.
Shkolla e mesme profesionale “Marija Kiri Skllodovska” është njëra nga dy shkollat që pret restaurimin e përgjithshëm. Vedat Mustafa, zëvendësdrejtor i kësaj shkolle, shprehet se kjo shkollë është ndërtuar që në vitin 1969 dhe ka nevojë për shumë punë.
“Shkolla është e vjetër – rreth 40 vjet, ka nevojë për fasadë të përgjithshme nga jashtë. Gjithashtu edhe brenda nevojitet restaurimi i plotë. Kemi nevojë për më shumë hapësira për mësim, si dhe laboratorin e optikës së syve ta pajisim me mjete adekuate. Gjithashtu, në kabinetet tona nuk ka smart tabela”, tha Mustafa. Bedri Gjureci, drejtor i shkollës së mesme “Saraj”, njëra ndër shkollat e mesme e cila bën pjesë në grupin e shkollave që kanë nevojë për restaurim të pjesshëm, thotë se në këtë shkollë po punohet në mënyrë intensive dhe se objekti do të jetë gati për vitin e ri shkollor. “Restaurimi është në nivel të Qytetit të Shkupit.
Tek ne po bëhet fasadë për ngrohje më efikase dhe kanë filluar të punojnë në instalimin dhe rinovimin në problemet me rrymën. Të shtunën pritet të jetë gati shkolla”, tha Gjureci, duke shtuar se tashmë është plotësuar numri i nxënësve të regjistruar, pasi në afatin e parë janë pranuar gjithsej 204 nxënës. Ndryshe, gjatë këtij pushimi veror po restaurohen plotësisht fasadat e shkollave të mesme “Dimitar Vllahov”, “Josip Broz Tito”, “Orce Nikollov”, “Koço Racin”, “Nikolla Karev”, “Boro Petrushevski”, “Zdravko Cvetkovski”, “Pançe Arsovski”, “Saraj”, “Pancçe Karagjozov”, dhe “Mihajllo Pupin”, me qëllim të bëhet efikase në energji. Shuma totale është mbi 60 milionë denarë, mjete që janë ridrejtuar nga projekti “Shkupi 2014”. Me restaurim të plotë të shkollave të mesme “Marija Kiri-Skllodovska” dhe “Cvetan Dimov”, do të përfshihen ndërrimi i bankave, karrigeve, tualeteve apo xhamave varësisht prej nevojave. Buxheti i Qytetit të Shkupit për këtë vit për arsim është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, do të thotë nga 81.2 milionë denarë në 163.2 milionë denarë.Koha.mk