Punësime të reja në administratën shtetërore nuk do të ketë, por do ketë plotësim të vendeve të zbrazëta dhe vazhdim të kontratave që kanë paraparë institucionet e caktuara sipas planit të tyre për punësim për vitin 2018 – 2019.
Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, thotë se institucionet duhet të marrin pajtueshmëri për punësimet e planifikuara nga Ministria e Financave dhe Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por për momentin nuk dihet se sa institucione kanë dërguar kërkesa të tilla.
“Për momentin nuk mund të themi saktë se sa institucione kanë kërkuar pajtueshmëri nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit për shpalljen e konkursit por respektimi i parimit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është obligim që duhet ta respektojë çdo institucion i cili ka shpallje për punësime të reja”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.