Punësimi i maqedonasve në emër të shqiptarëve, paralajmërohen ndryshime ligjore

Punësimet e maqedonasve që deklarohen si shqiptarë nuk kanë të ndalur, ndërkaq Qeveria pretendon se nuk mund ta ndalë këtë fenomen. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk ka një mekanizëm që me urgjencë t’i bllokoj maqedonasit, të cilët zënë vendet e punës që janë të rezervuar për shqiptarët për përfaqësim të drejt nëpër institucionet shtetërore. Nga kjo ministri thonë se shpëtimi i vetëm është në ndryshimet ligjore përkatëse, procedurë kjo e cila do zgjasë disa muaj.

Marketing

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës:

“Grupi i punës në resorin tonë është duke hartuar draftin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Nëpunës Shtetëror, i cili sipas dinamikës së punimeve pritet të jetë i gatshëm në fund të dhjetorit.”

Njohësit e fushës kërkojnë heqjen e plotë të softuerit të balancuesit, pasi që ajo është keqpërdorur në aspektin teknik. Ekspertja e administratës publike Neda Maleska iu bëri thirrje institucioneve që sa më parë të bëjnë ndryshimet në metodën e punësimit të nëpunësve shtetëror, duke vënë në rend të parë kualifikimet cilësore të kuadrit përpara manipulimit të shifrave në bazë të etniteteve.

Ky balancues në mënyrën që është planifikuar kërkon diçka që është e pamundur të realizohet. Besojmë që Qeveria dhe resori i saj Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës duhet të shoh që 5 vite nga vendosja e kësaj metode çfarë masa kanë arritur? A kanë dhënë të paktën ndonjë rezultat? Në bazë të saj të propozojnë ndonjë zgjidhje më racionale”-tha Neda Maleska, Eksperte e Administratë Publike.

Përderisa administrata stërmbushet në mënyrë të zhdrejtë, nga LSDM thonë se duhet kohë për një zgjidhje adekuate. Ndërkaq, nga BDI si parti e cila zotohej për subvencionim e kompanive private nëse punësojnë nga komunitetet jo maqedonase, heshtin. Se sa raste të tilla flagrante janë bërë në emër të 20%-it nuk na treguan me shifra nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Por javës që lamë pas dhjetëra të sapo-punësuar maqedonas në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë kanë siguruar vendin e punës vetëm duke u deklaruar si shqiptarë. Raste të ngjashme ka pothuajse në çdo institucion shtetëror dhe ministri, duke mos përjashtuar as Qeverinë. Në Komisionin e Agjencisë për Administratë këta kandidat nuk testohen asnjëherë për njohjen e gjuhës shqipe. Nga ana tjetër, kandidatëve shqiptarë u kërkohet njohje e mirë e maqedonishtes dhe gjuhëve të huaja.