Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” me ftesë të Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES) delegoi dy përfaqësues, z. Driton Kuçi dhe z. Valdet Xhaferi që morën pjesë në Punëtorinë për sisteme zgjedhore me ndihmën e metodologjisë dhe qasjes “Ndërtimi i resurseve për menaxhimin e demokracisë dhe zgjedhjeve (BRIDGE) e cila u mbajt më 27-29 nëntor të vitit 2019 në hotel “Arka” në Shkup.Qëllimi i kësaj punëtorie interaktive ishte thellimi i njohurive dhe ekspertiza për parimet, elementet dhe klasifikimet kryesore të sistemeve zgjedhore, si dhe të stimulohet një debat i informuar midis palëve të prekura kryesore (midis institucioneve kompetente, partive politike, shoqërisë civile, mediave) në vend të cilët do të kontribuojnë për krijimin e platformës për shkëmbim multisektorial.
Punëtorinë e BRIDGE e udhëhoqën dy konsulentë me reputacion ndërkombëtar, z. Ris Atril dhe z. Majkl Meli, të cilët kanë përvojë ndërkombëtare në këtë fushë. Kjo punëtori është pjesë e programit për mbështetje zgjedhore në vend, të cilën e financon USAID.