Punohet për krijimin e sistemit për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik

Zgjidhja që kërkojmë për pagat e të punësuarve në të gjithë sektorin publik është metodologjia e qëndrueshme dhe afatgjate e bazuar në kritere të përcaktuara në mënyrë objektive. Tashmë po punohet për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik, i cili është publikuar në RVNE dhe është në diskutim publik. Çështjen e pagave do ta zgjidhim së bashku me partnerët tanë – sindikatat dhe punëdhënësit në Këshillin Ekonomik dhe Social.

Marketing

Aktualisht punohet për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme sistemike që i referohet sektorit publik, duke ndjekur shembullin e pagës minimale dhe pensioneve. Në Ligjin e Nëpunësve Administrativë është krijuar metodologji me të cilën paga minimale vendoset si komponent bazë në pagën e administratës shtetërore dhe lidhur me këtë rriten pagat e të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore në përputhje me kriteret e përcaktuara për rritjen e pagës minimale. Kjo i referohet të punësuarve që përfshihen me këtë ligj, ndërsa për të tjerët rritja e pagave rregullohet me marrëveshje kolektive.

Bëhet fjalë për zgjidhje sistemike sa i përket pagave të të punësuarve në sektorin publik në bazë të kritereve të përcaktuara, të përshtatura sipas gjendjes në mënyrë objektive. Kjo zgjidhje u arrit për rritjen e pagës minimale dhe pensioneve. Sipas zgjidhjes në fjalë, në të ardhmen çdo vit në muajin mars do të përcaktohet rritja e pagës minimale në bazë të kritereve të definuara, rritjes së kostove të jetesës dhe rritjes së pagës mesatare. Ky është sistem i krijuar, i inkorporuar në ligjin në fjalë dhe do të implementohet në praktikë.

Në këtë mënyrë, me zgjidhjen e vendosur sistemike, nga ky muaj paga minimale shënon rritje për 2.175 denarë ose për 12.55% në raport me muajin mars të vitit të kaluar.

Shënohet rritje edhe në pagën mesatare të të punësuarve në vend, e cila arriti 34 mijë denarë, me ç’rast rritja është mbi 13%. Në të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, regjistrohet rritje e pagës mesatare neto pothuajse në të gjitha veprimtaritë.

Në industrinë e përpunimit ka rritje pagash për rreth 16 %, ndërtimtari 20%, tregti 12%, transport 23%, informacion dhe komunikim 17%, veprimtaritë financiare dhe sigurimet 9%, veprimtaritë administrative, ndihmëse dhe shërbyese 13%, administratë publike dhe mbrojtje 6%, në arsim 15 %, shëndetësi dhe mbrojtje sociale 5%, art, argëtim dhe rekreacion 13 %, ndërsa në veprimtaritë krijuese, artistike dhe argëtuese, paga mesatare ka shënuar rritje për 17.8% dhe është rreth 38 mijë denarë, ndërsa në fushën e bibliotekave, arkivave, muzeve dhe veprimtarive të tjera kulturore, paga mesatare është rritur për 15.5% dhe është rreth 35 mijë denarë.

Kjo Qeveri ka ndërmarrë masa për rritjen e pagave dhe të mbrojtjes së standardit të qytetarëve. Gjatë vitit paraprak pagat janë rritur në arsimin fillor dhe të mesëm për 15%, në kopshtet e fëmijëve për 15%, në arsimin e lartë për 7% (në vitin 2021 gjithashtu ka pasur rritje prej 8%), në vitin 2022 në kulturë ka pasur rritje të pagave për 18%, në gjyqësor 15%, në polici 5%, etj.