Dhjetëra postierë me kontratë në vepër protestuan para Postës Qendrore në Shkup. Ata thonë se pas shpalljes së konkursit të ri për pranimin e 80 personave, rrezikojnë të mbeten pa punë. Kjo për shkak se të njëjtit nuk kanë të drejtë të aplikojnë në këtë konkurs. 63 të punësuarit, kërkesat e tyre i firmosën, por nuk u lejuan t’i dorëzojnë në drejtori me arsyetimin se drejtori është në udhëtim zyrtar.
Revolta jonë në së shumti është që është hapur konkurs për vende të tjera pune që të pranohet të gjithë nga jashtë, por unë 8 vjet punoj në Postë dhe nuk janë në gjendje të na japin vendim. Hapen vende të reja për sportele a neve të gjithëve nuk na është plotësuar asnjë e drejtë e punës- thotë Besar Mamuti, Postier.
Postierët thonë se pagat e tyre nga 18 mijë denarë që kanë marrë në fillimi, prej vjetësh iu kanë shkurtuar nga 3 mijë denarë të gjithë të punësuarve me kontratë në vepër në nivel vendi. Ata thonë se statusi i tyre sipas Ligjit për marrëdhënie pune nuk u mundëson të përfitojnë as sigurim shëndetësorë e as fond pensional. Besart Mamuti tha se postierët tjerë nuk protestojnë për shkak të presioneve që u bëhen nga Institucioni.
Në Postën e Maqedonisë jemi të punësuar më shumë se 240 persona që punojnë me kontratë pune. Nga puna që bëjmë nuk përfitojmë gjë tjetër veç se pagën që na kanë zvogëluar në 15 mijë denarë. Shumica nga ne jemi të punësuar më shumë se 5 vjet- shton Besar Mamuti, Postier.
Nga Postat e Maqedonisë nuk iu përgjigjën thirrjeve e as pyetjeve me shkrim. Postierët thonë se nëse në afat prej 8 ditësh nuk marrinë përgjigje për kërkesat e tyre, ata do të marrin masa tjera ligjore dhe do të vazhdojnë me protesta.