Nga 22 mijë punonjës shëndetësorë në vend, vetëm 7 mijë e 890 kanë marrë ndihmë të njëhershme financiare, pasi kanë trajtuar pacientë të infektuar me Covid-19. 14.000 të tjerë kanë mbetur pa ndihmë, bëjnë me dije nga Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë. Në Redaksinë e TV21 mbërritën disa ankesa nga të punësuar në institucionet shëndetësore. Ata shprehen të zhgënjyer sepse nuk janë përfshirë në grupin i cila mori mjete financiare, edhe pse siç thonë, kanë pasur kontakt me pacientë të infektuar apo të dyshimtë të Covid-19.
“Jemi shumë të zhgënjyer sepse gjithmonë kemi dashur ta kryejmë atë që kërkohet nga ne dhe maksimalisht t’u përgjigjemi të gjitha detyrimeve që i kemi. Kështu ka qenë në 9 muajt e fundit. Shumë prej nesh u infektuan në punë, shumë prej nesh ishin në karantinë dhe nuk kishin mundësi të punonin, na zëvendësonin kolegët tanë. Ne me të vërtetë jemi pak në numër dhe gjithë punën e kemi bërë pa pushim. Ashtu ishte gjatë gjithë kohës dhe ende vazhdon të jetë ashtu. Kur na thanë se nuk jemi përfshirë në asnjë masë, me të vërtetë u zhgënjyem”, e punësuar në spitalin 8 shtatori.
Nga Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale, thonë se të hënën do të takohen me ministrin Venko Filipçe për t’i treguar se edhe të punësuarit e tjerë duhet të marrin ndihmën e njëhershme.
“Qëndrimi ynë është se të gjithë punonjësit shëndetësorë të cilët kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë ose indirekt me pacientë të infektuar me Covid-19 duhet të shpërblehen. Vlerësojmë se të gjithë duhet të marrin të paktën 5 mijë denarë, kurse atyre që kanë pasur kontakt t’u jepen 25 mijë denarë”, thonë nga Sindikata.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ka pasur lëshime, por se tashmë kanë reaguar, gjegjësisht u kanë dërguar udhëzime drejtorëve të Institucioneve Shëndetësore Publike që ta plotësojnë listën dhe të paguhen të gjithë ata që nuk kanë marrë ndihmë financiare.
“Pas informacioneve dhe reagimeve në opinionin publik se janë bërë lëshime gjatë krijimit të listave, dhe duke u bazuar në parimin e barazisë, Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë udhëzime drejtorëve të ISHP-ve dhe i detyroi nëse kanë bërë ndonjë lëshim, të na dorëzojnë listën me emrat e punonjësve shëndetësorë të cilët nuk janë përfshirë, me qëllim që të paguhen në mënyrë shtesë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria shtojnë se për dhënien e mbështetjes së njëhershme financiare për personelin ndihmës dhe mjekësor, i cili ishte angazhuar në trajtimin e personave të infektuar me Covid-19, ishin vendosur kritere të qarta. Ministria ka kërkuar nga drejtorët dhe udhëheqësit e Institucioneve Shëndetësore Publike t’i dërgojnë listat me emrat e punonjësve shëndetësorë të cilët nga fillimi i pandemisë punojnë apo kanë punuar me kovid-pacientë, me qëllim që të marrin ndihmën e njëhershme prej 31.000 denarëve./TV21