Pushteti dhe opozita edhe më tej në pozitat e tyre për Ligjin për Prokurorinë

Nuk ka përafrim të qëndrimeve as paralajmërim për takim të ri midis pushtetit dhe opozitës ndërsa i pasigurt është edhe vazhdimi i sotëm i seancës së Komisionit për Çështje Evropiane për Ligjin për Prokurorinë Publike.

Marketing

Gurë pengimi, siç thotë ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, mbetet statusi i lëndëve të PPS-së. Të enjten filloi seanca e Komisionit për Çështje Evropiane në të cilën shqyrtohet ligji për Prokurori Publike. Më pas janë miratuar dhjetë amendamente, ndërsa kryetari i Komisionit, Artan Grubi tha se paraprin harmonizim i grupeve të punës për 41 amendamentet e tjera.

Pozita dhe opozita dje sërish patën akuza të ndërsjella për atë se kush është fajtor për frenimin e ligjit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski e akuzoi ministren e Drejtësisë se është pengesa kryesore që negociatat për Ligjin për Prokurorinë Publike nuk kanë përfunduar.

“Plani B është bërë gabimisht dhe kjo është vetëm në shërbim të padrejtësisë, gjegjësisht i bëhet shërbim padrejtësisë në Republikën e Maqedonisë. Me të vërtetë më vjen keq që ministrja e Drejtësisë në momente shndërrohet në ministre të Padrejtësisë dhe njeri i mbushur me urrejtje dhe zemërim ndaj VMRO-DPMNE-së dhe opozitës unë nuk e kam hasur deri më tani edhe sikur të kishte qenë përfaqësues i lartë apo aktivist prej radhëve të LSDM-së, që në çdo pikëpamje i minon negociatat konkretisht për Ligjin për Prokurori Publike dhe praktikisht kjo është pengesa kryesore që ndoshta deri më tani këto negociata nuk përfunduan”, tha Mickoski në pres konferencën e sotme duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Deskoska nga ana tjetër ia ktheu që ta shohë oborrin e tij dhe të pyesë se çfarë pozitash përfaqëson partia e tij në bisedimet për ligjin. Sipas saj, deklarata e Mickoskit është krekosje e pafuqisë, krekosje e frustrimeve, pasi qëllimi i vërtetë i pozitave të tyre lidhur me Ligjin për Prokurori Publike është tjetërsuar.

Nga LSDM-ja thonë se, megjithatë janë optimistë dhe shpresojnë se do të sigurohet shumica e nevojshme prej dy të tretash. Sipas tyre, zgjidhja më e dëshiruar është ligji të votohet me konsensus në seancë kuvendore, e cila sipas paralajmërimeve duhet të mbahet më 10 shtator.