Pushteti pret bashkim me opozitën për projekt-amendamentet

Prejse Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të premten vonë në mbrëmje e solli vendimin për fillim të ndryshimeve të
Kushtetutës për shkak të implementimit të Marrëveshjes së Prespës, kalojnë edhe 15 ditë, aq sa Qeveria, si propozues i ndryshimeve kushtetuese, ka afat të dorëzojë projekt-amendamentet e Kushtetutës deri te Kuvendi.

Marketing

Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se nuk ka kundërshtim në amendamentet kushtetuese të futen kërkesat e disa deputetëve të opozitës të cilët votuan “për” të premten. Sipas tij, ato kërkesa nuk tërhiqen nga Marrëveshja e lidhur me Greqinë.

Zaev përkujtoi se gjatë debatit publik, u ka premtuar deputetëve se do të ketë proces inkluziv, ku nga Qeveria do të vijnë në Parlament me “pritjet e skicuara nga vetë amendamentet sipas marrëveshjes së Prespës”, dhe siç tha, do të ulen së bashku pushteti edhe me opozitën, ku pritjet e skicuara ti bëjnë projekt-amendamente.

“Do të ulemi së bashku t’i skicojmë projekt-amendamentet. Besojmë se mundemi ta bëjmë atë për më pak se 15 ditë me qëllim që ta shkurtojmë. Besoj se në suaza të atyre 15 ditëve do të mundemi me të vërtetë të harmonizohemi
dhe pres të rritet shumica për përkrahje. Sikur që do t’i hapim amendamentet ashtu çdoherë e më shumë do të konfirmohet se nuk ka asgjë të dhimbshme, të rëndë ose të fshehur. Të gjitha këto amendamente së pari do të na
bashkojnë”, tha Zaev.

Në pyetjen nëse janë të pranueshme kërkesat e deputetëve të opozitës, Zaev theksoi se ka pasur rast të shikojë katër pika dhe të njëjtat i ka lexuar me shumë kujdes.

Ai edhe njëherë bëri thirrje përmes procesit inkluziv jashtë përcaktimeve politike, pushtetit dhe opozitës të ulen së bashku dhe t’i definojnë saktë amendamentet kushtetuese dhe së bashku ta përkrahin , siç tha, këtë proces të rëndësishëm për RM-në, që përfundimisht do ta sigurojë stabilitetin, sigurinë, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Maqedonisë.

“Besoj se ajo shifër do të jetë shumë më e madhe. Jo rastësisht e flas këtë sepse shumë deputetë të tjerë duan të na bashkangjiten. Edhe njëherë e dërgoj porosinë”, përsëriti Zaev.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska tha se Qeveria do të mundohet edhe më herët nga 15 ditët e parashikuara ta përfundojë detyrën me projekt-amendamentet. Në pyetjen nëse do të jenë pesë amendamente, tha se nuk dëshiron të paragjykojë sepse kjo do të thotë se Qeveria sërish e ka fjalën kryesore.

Në Kuvendin e Maqedonisë pritet prej sot të fillojë procedura edhe për formim të trupit për pajtim, një nga katër kërkesat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët votuan për ndryshimet kushtetuese e dorëzuan deri te Parlamenti.

Me votimin në Kuvend të premten, përfundoi faza e parë e ndryshimeve të Kushtetutës. Në fazën e dytë duhet të konfirmohen projekt-amendamentet dhe për atë nevojitet shumicë e thjeshtë ose 61 vota në Kuvend. Faza e tretë
dhe e fundit është miratimi i amendamenteve për çka nevojitet shumicë prej dy të tretave ose përkrahje prej së paku 80 deputetëve.