Presidenti rus Vladimir Putin, do të takohet sot në Moskë me kancelarin austriak, Karl Nehammer, në takimin e tij të parë ballë për ballë me një homolog të Bashkimit Evropian që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
“Ne jemi ushtarakisht neutralë, por kemi një pozicion të qartë për luftën e agresionit rus kundër Ukrainës. Ai duhet të ndalojë. Ka nevojë për korridore humanitare, një armëpushim dhe hetim të plotë të krimeve të luftës”, tha Nehammer.
Kjo vjen pasi dolën raporte se Moska po mblidhte forcat e saj në lindje për një ofensivë të madhe dhe u kishte kërkuar njerëzve të largoheshin.
Mësohet se deri më tani rreth 4.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, ndërsa 6.5 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit të shkatërruar nga lufta.