Para nisjes së luftës dhe në fillimet e saj, pamje dramatike vinin nga Ukraina ku shiheshin burra e gra, shpesh edhe të moshuar, që bëheshin gati për të pritur armikun në qytetet e tyre. Tashmë, kur kanë kaluar 8 muaj nga lufta, pamje të tilla vijnë nga Rusia.
Fotografitë e habitshme të realizuara nga Retuers dhe Associated Press tregojnë mesoburra, gra dhe të rinj civilë, të cilët nuk janë thërritur ende nën armë, por po i nënshtrohen zborit për t’u përgatitur për luftën që Putin po zhvillon kundër vendit fqinj. Edhe pse Putin vetë ka pranuar se janë thërritur të luftojnë njerëz që ndoshta nuk duheshin, rekrutimet mes civilëve vijojnë.
Në fotografitë e fiksuara në Rostov, një qytet pranë Ukrainës, njerëzit e thjeshtë mësojnë si të mbajnë një kallashnikov në duar dhe të qëllojnë. Gjithashtu në foto shihen instruktorët që u mësojnë zboristëve si të mbushin tankun me predha.
Pjesëmarrësit në stërvitje thonë se duhet të përgatiten për të mbrojtur vendin e tyre, ndërsa instruktorët shprehen se shumë prej civilëve ndihen më të sigurt pasi kanë përfunduar kursin. “Unë nuk kam burrë. Jetoj me mamanë time dhe kështu që nëse ndodh ndonjë gjë, dua të jem gati për të mbrojtur familjen time”, thotë Anna, banore e Rostovit.
Për shkak të rezultateve të dobëta të ushtrisë në Ukrainë, Putin vendosi thirrjen e 300 mijë rezervistëve. Por situata nuk ka ndryshuar për Rusinë pasi vendasit kanë bërë përparime në disa territore të pushtuara. Të mërkurën, Putin shpalli ligjin e luftës në katër krahinat ukrainase të aneksuara në shkelje të ligjit ndërkombëtar, ndërsa frika për një përshkallëzim të luftës edhe përtej kufijve të vendit vijon të mbetet e lartë.