Pyetje deputetësh, kontesti maqedono-bullgar dominoi seancën

Kontesti maqedono–bullgar dominoi pyetjet e deputetëve të VMRO–DPMNE–së drejtuar kryeministrit, Zoran Zaev. Aleksandar Nikollovski e quajti amaterizëm politik që zgjidhja e mosmarrëveshjes midis dy popujve t’i lihet një komisioni të historisë për të hequr dorë nga identiteti. Kjo u përgënjeshtrua nga kryeministri, Zoran Zaev.
“Pas tre vite e gjysmë konsideroni se është gabim që në 2017-ën u pajtuat të formohet komision i  historisë nga i cili do të varet e ardhmja e Maqedonisë, e vënë para një misioni të pamundur, ose populli maqedonas të bëhet diçka që nuk është, ose të mos përparojë drejt eruointegrimeve.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
“Identiteti dhe gjuha jonë maqedonase asnjëherë nuk kanë qenë në tavolinën e bisedimeve dhe s’do jenë asnjëherë, pasi që kjo është e drejta jonë, vetëpërcaktim, vlerë dhe e drejtë europiane pas së cilës qëndrojmë dhe nga pala bullgare pres që të bëjë pranim të pastër të popullit maqedonas dhe gjuhës.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Kreu i ekzekutivit Zaev iu kundërpërgjigj edhe deputetes, Rashella Mizrahi, pas pretendimeve të saja, të dëshmuara edhe me fotografi për veprim fashist të Bullgarisë në Maqedoni.
“A jeni ende pas qëndrimit se Bullgaria gjatë luftës së dytë botërore ka qenë administrator të Maqedonisë dhe jo okupatorë fashist, pasiqë familja ime nuk është rrahur me stilograf?”,- u shpreh deputetja e VMRO–DPMNE–së, Rashella Mizrahi.
“Asnjëherë nuk kam thënë se Bullgaria ka qenë administrator në Maqedoni, jo, por nuk mund ta bëni mbarë Bullgarinë fashiste, e as paraardhësit, pasi që kjo nuk është as evropiane e as nuk ngjason me shekullin 21.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Opozita shqiptare kritikoi Xhaferin për renditjen
Ndërkohë deputetët e opozitës shqiptare kritikuan kryeparalmentarin Talat Xhaferi për listën e deputetëve që duhet marrë fjalë duke i vendosur ata më poshtë në listë.
“Kryetari i kuvendit e ka bërë radhitjen por nuk është koordinuar me grupet parlamentare dhe si pasojë e kësaj deputeti i opozitës shqiptare Aleancës dhe Alternativës është i pesti në radhë.”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
“Ai tenton që ta hesht opozitën shqiptare pasi që i jep VMRO-së plotë të drejtë të ballafaqohet me punën e qeverisë dhe LSDM-së, ndërsa opozitës shqiptare i pamundëson që të japë vërejtjet e veta ndaj ministrave shqiptarë.”,- tha deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi.
“Unë nuk kam obligim brenda opozitës relacionin 2 me 1 me mbajt llogari, kush i kujt subjekti politik është, ajo është çështje që duhet të merreni vesh ju si koordinator të grupeve parlamentare në opozitë dhe deputetët që nuk janë të organizuar në grup parlamentar që i takojnë opozitës për radhitjen brenda opozitës.”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Opozita kritikoi edhe gjendjen financiare në shtet, me pak investime kapitale, infrastrukturore  si dhe jetë jashtë çdo standardi edhe përkundër pretendimeve të pushtetit se për këto çështje janë shpenzuar 1 miliard e 6 milion euro.