Ndonëse në fillimet e veta Qendra për Arsimin (QARR) e të rriturve është përballur me probleme të shumta, si buxhetin e ulët apo mosinformimin e duhur se çka nënkupton arsimi joformal, tani pas dhjetë viteve qendra ka dhënë rezultate të mira, thekson drejtoresha e kësaj qendre, Lindita Qazimi.
Nga viti 2012, QARR ka zbatuar 380 programe, nga të cilat 340 programe janë programe që çojnë në kualifikim të caktuar, kurse 40 programe janë programe që çojnë në shkathtësi të caktuar. Kualifikimi i caktuar i personave të rritur është edhe një nevojë e ndërmarrjeve të cilat përballen me mungesë të kuadrove të caktuara, tha ajo.
“Vizioni ynë është që të arrijmë të krijojmë një sistem kualitativ joformal në RM, të vazhdojmë me procesin e verifikimit të programeve, ku do të mundësojmë programe konform kërkesave të punës, pra të sigurojmë fuqi punëtore kualifikuese konform kërkesave të punëdhënësve, po ashtu do të jemi të fokusuar në krijimin e programeve të reja”,- tha drejtoresha e QARR-it, Lindita Qazimi.
Qendra për Arsimin e të Rriturve është një institucion i rëndësishëm për sistemin arsimor të Maqedonisë, andaj përkrahja nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të jetë e madhe, tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
“Për të gjithë ata të cilët dëshirojnë që të arrijnë një kualifikim të caktuar, rikualifikim të caktuar dhe sigurisht se sfida jonë e përbashkët është sjellja e një kornize të re ligjore që ka të bëjë me arsimimin e të rriturve dhe sidomos instalimin dhe zbatimi konsekuent i koncepteve të ndryshme të cilat janë pjesë e punës së këtij institucioni”,- theksoi ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.
Me rastin e dhjetëvjetorit të formimit të kësaj qendre, ata nuk lanë pa falënderuar edhe Komisionin Evropian për përkrahjen e dhënë.