Ish-zëvendësministrja e Arsimit dhe funksionare e Bashkimit Demokratik për Integrim, Lindita Qazimi, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj rrethit të ngushtë të liderit të kësaj partie, Ali Ahmeti, pas një takimi të tij me imamin kontravers Tim Shkupi, gjatë të cilit Ahmeti deklaroi se është “xhemat” i imamit shqiptar.
Përmes një statusi në facebook, Qazimi shprehet e indinjuar që figura të cilat ajo i cilëson si “injorantë”, “servilë” dhe “matrapazë” po afrohen pranë Ahmetit, ndërkohë që sipas saj, të rinjtë dhe figurat politike që janë rritur me idealet dhe frymën e BDI-së po mbahen qëllimisht larg.
“Kur Ali Ahmeti i kishte përreth njerëzit që duhej t’i kishte, figura e tij ruhej dhe ngritej. Tani e takojnë lloj-lloj figurash kontraverse, pa ndikim e pa vlerë, që vetëm mund ta dëmtojnë atë,” shkruan Qazimi.
Ajo paralajmëron se kjo qasje po dobëson partinë dhe figurën e liderit të saj historik, ndërsa akuzon se “ardhacakët, servilët, të paditurit mendjemëdhenj, hajdutët dhe rrenacakët” po e deformojnë frymën dhe trashëgiminë politike të BDI-së.
“E ruajnë nga fëmijët e vet politik, i afrojnë fëmijë të huaj që nuk u dihen as prindët kush janë, e krijesë e mision i kujt janë,” thekson Qazimi, duke aluduar në ndikime të jashtme dhe figura të dyshimta brenda partisë.
Ky reagim vjen pas publikimit të videos që tashmë është bërë virale e Ali Ahmetit me imamin Tim Shkupi, i cili njihet për deklarata kontraverse në publik.
Shkrimi i Lindita Qazimit në facebook, ka nxitur debat të ri mbi drejtimin e partisë dhe rrezikun e devijimit nga ideali fillestar i saj.