Shtetasi që nxiti protesta të dhunshme pas djegies së librit të shenjtë Kuranit, është qëlluar për vdekje në Suedi, sipas raportimeve të mediave lokale.
Salwan Momika, 38-vjeçar, raportohet të jetë vrarë në një apartament në Sodertalje të Stokholmit, në pasditen e së mërkurës.
Ai nxiti trazira të mëdha pasi dogji kopje të Kuranit jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit më 2023. Policia në Stokholm ka thënë përmes një deklarate se pesë persona janë arrestuar pasi një burrë në të 40-at është qëlluar për vdekje përgjatë natës.
Mediat lokale kanë raportuar se Momika ishte kyçur drejtpërdrejt në rrjetet sociale rreth kohës kur është qëlluar. Momika, irakian që ka jetuar në Suedi, është akuzuar në gusht, bashkë me një tjetër person, për “agjitacion kundër një grupi etnik”, në të paktën katër raste, në verën e vitit 2023.
Vendimi, që ishte paraparë të bëhej publik të enjten, është shtyrë pasi është konfirmuar se “njëri prej të pandehurve ka vdekur”, ka thënë gjykata në Stokholm.
Momika ka organizuar disa herë protesta kundër Islamit, dhe kështu pati nxitur protesta në shumë shtete me shumicë myslimane.