Kreu i ekzekutivit nuk e sheh të nevojshme zgjerimin e koalicionit aktual qeverisës, siç propozoi sekretari gjeneral i ASh-së, Arben Taravari, mbrëmë në TV21. Zaev thotë se ende nuk ka propozim konkret nga ASh, por për momentin nuk pret që zgjerimi i koalicionit aktual të përforcojë kapacitetet e shtetit në përballje me krizën Kovid.
“Janë pikëpamjet e tij, ne nuk kemi një propozim nga ana e kryetarit të tyre me një shpjegim argumentues. Çdo sugjerim vlen të merret parasysh. Por, nuk besoj se nëse opozita hyn në qeveri, kapaciteti i shtetit do të rritet ndjeshëm. Pse, për shkak të papërgjegjësisë? Flas sidomos për opozitën maqedonase. Unë besoj se ky koalicion mund të vazhdojë të shtyjë proceset e rëndësishme edhe më me guxim.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE ndërkohë nuk hedh poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni për zgjedhjet lokale. Zëdhënësi i saj, Naum Stoilkovski, thotë se VMRO-DPMNE është e interesuar për ta larguar nga qeverisja LSDM-në dhe bashkëpunëtorët e tyre, e këtu nuk përjashtohen koalicionimet me ata që kanë të njëjtin qëllim.
“Në aspektin e koalicionimit parazgjedhor, apo ndonjë koalicionimi paszgjedhor, ende nuk i kemi analizuar të gjitha opsionet. Në pjesën e ndonjë bashkëpunimi eventual, vetëm kemi potencuar se janë të mirëseardhur të gjithë ata të cilët janë kundër dhe ata të cilët dëshirojnë ta rrëzojnë këtë keqqeverisje edhe nga pushteti lokal edhe qendror.”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
Me gjithë akuzat dhe propozimet e opozitës, Qeveria vazhdon punën për emërimet edhe në eshalonin e tretë. Kryeministri beson se përzgjedhja e drejtorëve do të përfundojë për 10-15 ditë, përveç për ato vende ku personat udhëheqës zgjidhen me konkurs.