Qeveria aprovoi pr/ligjin për Prokurorinë, LSDM fton VMRO-në për konstruktivitet në Kuvend

Qeveria i dha dritë jeshile projekt ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Publike. Drafti pritet të dërgohet në Kuvend menjëherë për të kapur mundësinë e fundit që ligji të vihet në seancë plenare para pushimit kolektiv të Kuvendit republikan.

Marketing

LSDM në pushtet konsideron se projekt ligji është me rëndësi për reformat, drejtësinë dhe shtetin. Ftojnë kreun e VMRO-DPMNE-së dhe deputetët e saj që të tregohen konstruktivë dhe të përkrahin zgjidhjen ligjore për Prokurorinë Publike.

“Ishte propozim i VMRO-DPMNE-së që Prokuroria Speciale të integrohet në kuadër të Prokurorisë Publike dhe u pranua. Propozimi që prokurorja, Villma Ruskovska, të udhëheq Prokurorinë e re për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë nuk është vendim i partive, por rrjedhë logjike e ngjarjeve”,- tha deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska – Vançeva.

VMRO-DPMNE paralajmëroi se do të dalë me qëndrim dhe vërejtje pasi grupi negociator të ketë shqyrtuar projekt/ligjin në fjalë.

Në bazë të njoftimit të parë të kryeministrit, Zoran Zaev, me projekt ligjin e ri parashihet që Prokuroria Publike Speciale, si strukturë, integrohet në Prokurorinë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin dhe merr titull të ri Prokurori Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion të Lartë dhe do të drejtohet nga prokurorja, Villma Ruskoska, e cila ka mandat dhe aktualisht udhëheq Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion.

Me propozim ligjin e ri parashihet që të gjitha lëndët që ka hapur Prokuroria Speciale të kalojnë në kompetencë të prokurorisë së re, po ashtu edhe prokurorët që punojnë në Prokurorinë Speciale do të vazhdojnë punën në Prokurorinë e re për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion të Lartë deri në shtator, kur u përfundon mandati, me të drejtë për konkurim.