Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një kumtese dënon publikisht sulmet dhe fyerjet siç i quajnë ata, jashtëzakonisht të pacivilizuara të shprehura në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga deputetët e VMRO-DPMNE-së ndaj përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian.
“Dënojmë ashpër gjuhën e urrejtjes që opozita po përhap me këmbëngulje këto ditë dhe po përpiqet t’ia imponojë publikut nga foltorja e Kuvendit, por edhe nga bllokadat dhe protestat në rrugë. Qëllimi kryesor i këtyre sulmeve të turpshme dhe të nivelit të ulët është pengimi i rrugës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian”.
“Qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të qarta dhe ne jemi të vendosur të bëhemi pjesë e familjes evropiane ku bëjmë pjesë, duke mbrojtur interesat kombëtare dhe gjuhën maqedonase. Prandaj Qeveria me të gjitha kapacitetet e saj do të vazhdojë të punojë për prosperitetin e vendit dhe anëtarësimin e tij të plotë në Union”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Ndryshe, dje derisa mbante fjalim në Kuvendin e RMV-së, disa deputetë të opozitës maqedonase reaguan ashpër ndaj kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen.