Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nesër do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Ai i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, do të ketë një takim bilateral me homologun e tij, Hristijan Mickovski.
Lidhur me këtë vizitë detaje për Klankosova.tv ka dhënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Kryeziu tha se në agjendë do të jenë raportet bilaterale të të dyja vendeve, me interes të veçantë projektet infrastrukturore.
“Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, tha Kryeziu për Klankosova.tv
Lidhur me vizitën e Kurtit në kryeqendren e Maqedonisë, ka raportuar më herët edhe Klankosova.tv.
Vizita e kreut të qeverisë në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat.
Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal.
Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik.
MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast.
Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin.
Mbetet të shihet nëse Albin Kurti, do të prononcohet ose do të diskutojë me Hristijan Mickovskin, lidhur me këtë ngjarje.
Deri më tani Kurti, nuk e ka thënë as një fjalë për këtë incident.