Qeveria e Kosovës konfirmon se Kurti është kërcënuar me jetë: Nervozizmi në Beograd erdhi pas mbledhjes në SHBA

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti është kërcënuar me jetë.

Marketing

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar për mediat vendase se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të lidhura me Beogradin zyrtar,

“Nervozimi në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet ndaj kryeministrit të Kosovës”-ka deklaruar Kryeziu.

Sipas tij, në Shkup ka pasur forca të shumta të rendit, por “kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar”.

“Jemi të informuar se ka shumë kërcënime nga individë dhe struktura që kanë lidhje me Beogradin zyrtar. Nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj Kryeministrit. Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut. Ai tashmë është në Kosovë dhe po vazhdon agjendën e tij” – ka deklaruar ai.

Ndërkohë, një deklaratë të ngjashme e dha edhe vetë Kurti pas kthimit të tij nga Shkupi në Prishtinë, e ku pyet mbi këto raportime.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate.” – ka thënë ai para gazetarëve.

Lidhur më ngjarjen janë deklaruar edhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Ministria e Punëve të Brendshme atje, ka qartësuar se nuk ka pasur tentim për vrasjen e Kurtit, dhe se ka pasur masa të sigurisë sipas rregullave të paracaktuar.