Kosova me masa shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit korona

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mbyllën kafiteritë, baret, restoranet dhe qendrat tregtare me përjashtim të dyqaneve ushqimore.

Marketing

Transporti ndërurban dhe ndëkombëtarë është pezulluar po ashtu.

Kyeministri, Albin Kurti tha se është vendosur edhe mbyllja e kufijve tokësorë.

“Kjo nuk vlen për shtetasit e Kosovës. Të gjithë ata që hyjnë do të iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore”, tha Kurti.

Masat u ndërmorrën pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Qeveria ka vendosur që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ky kanë banuar dy personat e infektuar.

Kurti tha se nga 16 marsi do të pezullohen të gjitha linjat ajrore, përveç atyre ushtarake dhe atyre me ndihmë.

Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, tha se pacientët e konfirmuar me COVID 19 janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.

Ai tha se gjendja e të infektuarve është stabile.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha ministri Vitia.

Të gjitha vendet e rajonit, përveç Malit të Zi, tashmë kanë raportuar raste me sëmundjen e koronavirusit të ri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 132.500 njerëz janë diagnostikuar me Covid-19 në 123 vende të botës.