Qeveria e Kosovës thirrje Serbisë: Menjëherë të tërhiqen të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjithë trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën.

Marketing

Po ashtu, qeveria i ka bërë thirrje Serbisë të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë, për të cilat thuhet se paraqesin kërcënim të përhershëm për Kosovën.

“Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”, thuhet në reagimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Sipas qeverisë, lëvizjes e ushtrisë serbe janë bërë në tri drejtime të ndryshme, ku njësitet e Brigadës së Dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të Kosovës, njësitet e Brigadës së Tretë kanë lëvizur nga regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor me Kosovën dhe njësiti i Brigadës së Katërt kanë lëvizur nga regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Kosovës.

“Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”.

“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”, thuhet më tej në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, thuhet se institucionet e Kosovës, në bashkërendim me partenrët ndërkombëtarë janë më të vendosura së kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, ruajtjen e sovranitetit, rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve.