Trupat më të lartë partiakë të LSDM-së dhe të BDI-së sot duhet ta konfirmojnë marrëveshjen për formimin e koalicionit qeveritar që dje e arritën liderët e dy partive Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti.
LSDM-ja do të mbajë seancë të Këshillit qendror sonte në ora 20:00, ndërsa paraprakisht pritet të mblidhen edhe anëtarët e Këshillit ekzekutiv.
Lideri i partisë dhe mandatar Zaev dje në një deklaratë për mediumet pas takimit me Ahmetin paralajmëroi se për marrëveshjen e arritur do të referojë para organeve më të larta të partisë, ndërsa do t’i informojë edhe partnerët nga koalicioni “Mundemi”, si dhe PDSH-ja, të cilët do të përfshihen në koalicionin qeveritar. Një pjesë e koalicionit “Mundemi” janë partitë Besa, Partia liberale-demokratike, RDM etj.
BDI-ja ka mbledhur në Tetovë Këshillin e përgjithshëm të partisë në të cilën do të bisedohet për zgjedhjet më 15 korrik, ndërsa Ahmeti do të informojë për marrëveshjen për koalicion me LSDM-në. Pas takimit është paralajmëruar deklaratë e Ahmetit.
Përveç se Talat Xhaferi mbetet kryetar i Kuvendit, tani për tani zyrtarisht nuk zbulohen vendimet personale për vendet e ministrave,
Shumica në Parlament, me votim për zgjedhjen e kryetarit, pritet të konfirmohet më së voni deri të premten. Xhaferi ende nuk është deklaruar kur do ta caktojë vazhdimin e seancës konstitutive.
Mediumet jozyrtarisht shkruajnë për pozitat e dakorduara ministrore në qeverinë e re, por pjesa më e madhe kanë të bëjnë me partitë e bllokut shqiptar. Tani për tani nuk dihet kur Zaev do ta publikojë përbërjen personale të Qeverisë së re. Ai dje kumtoi se ndryshime do të ketë dhe se në Qeverinë e re nuk do të ketë ministra pa dikaster.